Cilët ishin 6 firmëtarët korçarë të Deklaratës së Pavarsisë

0
1619
Deklarata e Pavarsisë së Shqipërisë

Ishin 40 delegatë nga e gjithë Shqipëria ata të cilët në motin e vitit 1912, më 28 nëntor, në orën 14:00, firmosën deklaratën e Pavarsisë së Shqipërisë. I pari që hodhi firmën ishte vetë Ismail Qemali e më pas e shoqëroi Dom Nikollë Kaçorri. Në këtë akt kaq të rëndësishëm, qyteti i Korçës përfaqësohej me 6 firmëtarë, më shumë se çdo qytet tjetër.

DHIMITËR BERATI (1888-1970) Lindur në Korçë në vitin 1888. Përfundoi në Rumani fakultetin e shkencave politike dhe atë juridik. Pas vitit 1905 kthehet në Korçë, ku punon si mësues në shkollën e parë shqipe të Korçës. Antar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908. Më 13 dhjetor 1909 merr pjesë në shfaqjen e dramës “Besa” si sufler. Po këtë vit merr pjesë në Kongresi i Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresi i dytë i Manastirit. Nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel “Kontinental”-it në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. U emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i pleqësisë. Më 1913 sekretar i delegacionit shqiptar që udhëton në Londër, Paris, Romë, etj. Më 1913 administratori i spitaleve të vendit. Në korrik 1914 emigron në Rumani, ku punoi për krijimin e kishës ortodokse shqiptare të Rumanisë. Beratti është delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes më 1919. Në shkurt 1919 shërben si sekretar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Më 1924 ndodhet në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Në periudhën 1926 deri më 1934 punon si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ministër i ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë ministër në Romë. U emërua më 3 dhjetor 1941 ministër sekretar shteti i kulturës popullore në qeverinë e Mustafa Merlikës. Antar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Pas rënies së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u largua nga Shqipëria përgjithmonë, u vendos në Itali, ku u mor me veprimtari të shumta patriotike. Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”. Vdiq në Romë më 1970. Ka botuar dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937”, të cilët shërbejnë në ditët tona si model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar. Dekoruar me urdhërin “Për veprimtatri patriotike” të klasit të parë.

PANDELI CALE (1879 – 1923) Lindi në Korçë. Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe si vetëdashës shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos manifestin e pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Iindustrisë dhe Tregëtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919 kthehet në atdhe. Më 1920 hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më 1920 Prefekt i Korçës. Në shkurt 1921 deputet në të parin parlament shqiptar. Vdiq i sëmurë në një spital të Selanikut.

DHIMITËR ZOGRAFI (1878 – 1945) Lindi në Korçë. Në fund të shekullit XIX së bashku me vëllezërit emigroi në Rumani. Më 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve te Bukureshtit “Bashkimi-Unirea”. Një nga organizatorët e mbledhjeve që u zhvilluan në fillim të nëntorit 1912 në Bukuresht. Aty theksoi se patriotët “kanë besim të plotë në veprimin e Kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail Qemal Beu e se kanë për të bërë sa mundet me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut”. U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmos vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i pleqësisë. Në dhjetor 1912, bashkë me Dhimitër Emanoilin, shkon në Brindisi e prej andej kthehet në Korçë nga ku largohet më 1917. Kundërshton vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmos protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919. Vdiq në Bukuresht.

THANAS FLOQI (1884-1945) Lindur në Korçë. Përfundoi studimet universitare në Athinë, në fakultetin e drejtësisë. Në vitin 1905 vendoset në qytetin Xhejmstaun. Merr pjesë në themelimin e shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” më 1906. Shërben si kronikan i gazetës “Kombi” të Sotir Pecit. Kthehet në atdhe në korrik 1908, qëndron në Vlorë. Themelon mandolinatën “Labëria” dhe qëndron dirigjent i saj. Në Kongresin historik të Vlorës, mori pjesë si delegat i Korçës dhe më 28 nëntor 1912 firmoi vendimin e pavarësisë me siglën “Thanas V. Floqi”. Caktohet gjyqtar në Elbasan. Ka përkthyer me mjeshtëri në gjuhën shqipe “Tre muskëtjerët” e A. Dumasë, “Jeta ushtarake” të E.de Amiçis, romanin “Ditët e prapme të Pompeit” të Lyttonit; romanion “Arsen Lupeni kundra Sherlock Holmesit” të M. Leblanc; ka botuar një fjalor italisht – shqip më 1939. Më 1910 botoi një gramatikë të gjuhës shqipe. Vdiq në Elbasan.

SPIRIDON ILO (1876 – 1950) Lindi në Korçë. Mësues në shkollën shqipe të vashave. Emigroi nëBukuresht ku u lidh me koloninë shqiptare të atjeshme. Në dhjetor 1909 luan një rol në dramën “Besa”. Mori pjesë mbledhjen e Bukureshtit. Thuhet se Spiridon Ilo solli flamurin shqiptar që u ngrit në Vlorë. Në mbledhjen e 28 nëntorit, si përfaqësues i Korçës, firmosi aktin e pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1913 u kthye në Rumani. Në vitin 1916 emigroi në Neë York ku vazhdoi veprimtarinë patriotike. Themeloi shoqërinë e parë diskografike “Albanian Phonograf Records” në vitin 1923. Regjistroi për herë të parë himnin tonë kombëtar. Kallëpet e pllakave i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv, por ato fatkeqësisht u shpërdoruan dhe meqë ishin prej bakri u futën në bazamentet e antenës së Radio Korçës. Veprimtarinë e tij patriotike e vazhdoi më pas në Rumani. Më 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1938 anëtar i Dhimogjerondisë. Më 1 prill 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Në vitet `20 botoi e shpëndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”. Vdiq në Korçë.

DHIMITËR MBORJA EMANOIL (1884-1945) Lindur në Mborje. Anëtar i shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908. Kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912 merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Më 28 nëntorit 1912, firmon aktin e pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”, e cila punonte për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe. Rreth vitit 1920, lëshoi darovisht godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambjent mësimor për Liceun Kombëtar. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Largohet në Rumani për t’u rikthyer në atdhe vite më vonë. Vdiq në Bukuresht.

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj