Mimoza Paraveli: Serenatat janë dashuria e sokakëve të Korçës

0
374

Brunilda Gorovelli

Mimoza Paraveli është ajo këngëtare që jep shumë rrallë intervista në media, e ndërsa mund të  kërkosh për të, mund të gjesh këngët e shumta që ajo ka kënduar qysh herët. Kjo e dielë vjen me intervistën shumë miqësore të zhvilluar me Mimozën për këngën e saj më të re “Po udhëtoj”, por jo vetëm kaq. Jeta e këngëtares është e ndarë mes Tiranës dhe Korçës, ajo tregon për ne arsyet që e mbajnë në kryeqytet dhe ato që shpesh e çojnë drejt vendlindjes. Ajo ndalet tek serenatat , ato që të prekin shpirtin, duke rrëfyer se janë himn i dashurisë. “Më mbushin me frymë pa pasur frikë se do më dalin lotë”, rrëfen Mimoza. Ndërsa e dëgjon të flasë, ajo të përcjell një qetësi e patjetër që mund të thuash se është natyrë e qetë. E në fakt është e tillë, këtë e pohon edhe vetë Mimoza, por ka edhe ajo momentet e saja të nervozizmit. Paraveli është ndalur pikërisht për të folur për atë që mund ta bëj me nerva, është ndalur në vështirësitë e pengesat që ka hasur deri më tani.

Sa kohë keni punuar për këtë projekt?

Është dashur rreth tre muaj për të realizuar atë që realisht donim,sepse asnjëherë nuk kënaqem, jam kritikja më e madhe e vetes. Përgjegjësia se si do dalë më emocionon aq shumë, sa e humbas qetësinë. Përveç punës së Arjan Brahimit si kompozitor dhe orkerstrues, shumë i rëndësishëm ishte dhe teksti që do i përshtatej melodisë. Ishte Olti Curri ai që i vuri pikat mbi “i”. Një tekst që përcjell histori..emocion. Por,  nuk mbaron me kaq (qesh).Ishte Bled Kalivaci që realizoi skenarin dhe vidioklipin. Këtu gjej rastin të falenderoj Maxproduction për të gjitha bashkëpunimet. Për imazhin, e palodhura Miranda Dupi dhe Erjona Majtara. Dy profesioniste shumë të talentuara në punën e tyre, që gjithashtu i falenderoj për përkushtimin.

Për ku është nisur të udhëtoj Mimoza?

Vazhdimisht udhëtoj në mënyrë imagjinare. Kur lexoj një roman apo kur shoh Explorer Natyra..Kur dëgjoj muzikë të mirë. Mendimi është piknisja e të gjitha sukseseve. Përkushtimi me të gjithë qënien drejt përparësive më të rëndësishme dhe pasionit për profesionin.

Si kanë ndikur vështirësitë tek ju?

Asnjë gjë nuk është e thjeshtë për t’u arritur.Gjithmonë ka sfida, pengesa.Por çdo vështirësi që kam kaluar më ka rritur, më ka bërë më të aftë dhe me vetëbesim. Më është dashur një jetë për t’u bërë kjo që jam, ndaj kam gjetur forcën dhe kurajon të ruaj identitetin tim dhe të lë sadopak gjurmë si artiste.

Këngët tuaja i këndojnë dashurisë, por me dhimbje.Jeni natyrë melankolike?

Duke qenë se vij nga një qytet artdashes si Korça,jam rritur dhe edukuar me dashurinë për të bukurën. Serenatat janë ato që përcjellin mesazhe për dashurinë, për dhimbjen.Vetë ngjyra e zërit tim mendoj se përshtatet më mirë në këngë që mbartin melankoli .Dhe s’ka si të mos jem dhe unë vetë e tillë. Publiku mundet të dëgjojë dhe të shohë, por asnjëhere nuk mund ta dijë se si ndjehem.

Si e kujtoni fillimin tuaj në muzikë?

Kam qenë shumë shumë e vogël. Në klasë të parë fillore, ndaj po e quaj veten me fat që linda me këtë talent dhe që më zbuluan në kohë për të më aktivizuar në festivalet për Fatosa dhe Pionere që mbaheshin në ato vite. Më pas vazhdova shkollën e muzikës për t’iu përkushtuar plotësisht këndimit. Duke qenë në rreth artistësh shumë të aftë profesionalisht, kam përfituar prej eksperiencës së tyre dhe sigurisht më është dashur të punoj shumë, të pranoja vërejtjet dhe sygjerimet për të qenë e realizuar.

Çfarë janë serenatat për ju?

Serenatat janë të bukura për nga thjeshtësia..Mjafton një kitare e një mandoline për t’u kënduar nën qiell të hapur me shoqëri. Janë himn i dashurisë. Më mbushin me frymë pa pasur frikë se do më dalin lotë. Më falin ndjenjën e qetësisë, paqes dhe shpresës. Për mua serenat janë dashuria e sokakeve të Korçës. Duhet të përpiqemi të gjithë bashkë t’i ruajmë të dëlira origjinale siç i kanë kënduar brezat dhe jo t’i bastardojmë.

Jeni nga Korça po jetoni në Tiranë, sa shpesh e vizitoni vendlindjen?

Arsyeja që unë kam ardhur të jetoj në Tiranë ishte për shkak të studimeve të mia në degën Juridik dhe profesioni që ushtroj si këngetare, se përndryshe Korçën,vendin ku unë jam lindur, rritur, edukuar, nuk do e ndërroja me asnjë vend të botës. Shkoj shpesh ..sa herë që më jepet mundësia, për të vizituar familjen dhe shoqërinë .Kam shumë mallë.

Si është një ditë e juaja këtu në Tiranë?

Çdo ditë kemi nevojë për diçka të re për të dalë nga rutina. Por të jesh artist nuk është e thjeshtë, por do të thoja shumë e vështirë për mundësi të tilla sepse oraret që zhvillohen aktivitetet janë të lodhshme. E përkushtuar ndaj punës, vetes dhe njeriut të zemrës.

Ju jeni shpesh edhe pjesë e “Maratonës së Këgnës” në verë, pse preferoni te merrni pjesë?

“Maratona e Këngës” është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të muzikës shqiptare. Ndihesh e privilegjuar të ngjitesh në skenë përkrah artistëve më të suksesshëm. Sheshet e qyteteve që na mirëpresin qindra, mijëra qytetarë dhe emigrantë që kalojnë pushimet në vendlindje. Është një atmosferë që të jep një sadifaksion që rrallë herë në jetë përjetohet. Ku tjetër përveç ” Maratonës së këngës “mund të promovosh projektet e reja?

Dukeni natyrë e qetë. A nervozoheni shpesh?

Jam natyrë e qetë vërtet. Por,  ndodh që rrallëherë të nervozohem se dhe unë jam njeri. Në atë moment largohem për t’iu shmangur debatit. E analizoj në qetësi kush ishte shkaktari. Më nervozojnë hipokritet, njerëzit që ndryshe janë dhe ndryshe shfaqen,interesaxhinjtë, njerëzit mosmirënjohës.

Cili ka qenë veprimi apo fjala më negative që keni thënë kur nervozoheni?

Abandonimi. I largoj prej vetes njerëzit që me prishin qetësinë.Në jetë i bëjmë vetë zgjedhjet se kush e meriton të jetë në rrethin tonë shoqëror.

Si do jetë për ju ky fundvit pra nëntor-dhjetor?

Besoj se do vazhdoj me angazhimin në një club në Tiranë ku këndoj prej 4 vitesh. Koncerti më i afërt ku do marrë pjesë është në dt. 25 Nëntor në qytetin e Selanikut përkrah më artistë të trevave të ndryshme shqiptare, organizuar nga “Agjencia e Spektakleve” Z.Julian Llapushi. Ju falenderoj për intervistën dhe mbështetjen që na jepni ne artistëve.

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj