103 emigrantë janë karantinuar në tre hotele të Korçës si mënyra e vetme për të kaluar kufirin. Por disa prej tyre ankohen për pamundësinë e pagesës. Ata thonë së marrëveshjen që kanë nënshkruar parashikohej 1800 lek në ditë, por tashmë u kërkojnë 2500 lek. Administratori i hotelit sqaroi se në shumën e parë nuk u llogaritej ushqimi tre herë në ditë.
Emigrantët që duan të kthehen në vend nga Greqia janë detyruar të karantinohen si masë kundër përhapjes së koronavirusit.
Por një grup i emigrantëve të izoluar në një prej hoteleve të Korçës, ankohen për pagesat.
Ata thonë se u kanë kërkuar 2500 lek për ditë qëndrimi, në një kohë kur në deklaratën që kanë firmosur thuhej 1800 lek.
“Kur kaluam në doganë na thëna që nuk do paguani lekë dhe atij ishte shkruajtur 18 mijë lekë. Sot pas 6 ditësh pronari kërkon lekët. Ne nuk kemi lekë ti paguajmë. Për 14 ditë duhet të paguash 350 mijë lekë. Jemi 14 veta që do paguajmë lekët. 35 janë që janë të paguara lekët”, tha një prej personave në karantinë.
Ora News u interesua pranë hoteleve që janë kthyer në karantina për emigrantët në Korçë dhe pronarët sqaruan se 1800 lek është pagesa për qëndrimin.
Ndërsa në marrëveshje sipas tyre nuk parashikoheshin tre vaktet e ushqimit që ata u garantojnë çdo ditë.
Ndërkohë prefekti i Korçës, Dhori Spirollari i kontaktuar bëri me dije se në tre hotelet e Korçës janë strehuar 103 emigrantë.
Nga këta vetëm 35 të parët nuk do të paguajnë pasi fatura është marrë përsipër nga këshilli i Diasporës.
Të tjerët duhet të paguajnë vetë faturën e karantinës sipas udhëzimit të qeverisë.
