Reklamim masiv i kompanive të basteve sportive në shtetin me njëmijë halle

0
937

Futbolli është sporti më popullor në të gjithë botën. Këtë muaj po shikojmë dhe shijojmë të gjithë së bashku kompeticionin futbollistik Botërorin Rusi 2018. Kupa e Botës është e vetmja përvojë kulturore botërore e shikuar në më shumë vende sesa ka anëtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Edhe kjo Kupë Bote, që po zhvillohet këtë vit, përveç të pranishmëve në shkallët e stadiumeve, po ndiqet nga një numër i madh njerëzish edhe përpara ekraneve të televizioneve në Shqipëri dhe në çdo cep të globit.

Për këtë muaj koha më e rëndësishme televive është ajo kur zhvillohen ndeshjet e Botërorit Rusi 2018 dhe emisionet sportive për këtë Kupë Bote, të cilat në Shqipëri i kemi të shumta. Nga mengjesi deri në mbrëmje, në qoftë se do të marrësh telekomandën e televizionit në dorë, do të gjesh një emision i cili flet për Botërorin Rusi 2018, ku në panelin e të ftuarve shikon politikanë, modele, punonjëse bashkie, artistë, fotografë, inxhiniera etj. persona të të gjitha llojeve të profesioneve të cilët flasin për futbollin. Të gjitha këto emisione kanë nga një ose dy sponsor kompani bastesh sportivë. Pas shtypit të shkruar dhe mediave online, reklamimin e basteve sportive tani po e shohim masivisht edhe në median televizive.

Por emisionet sportive nuk janë të vetmet të cilat reklamojnë kompanitë e basteve sportive. Edhe vetë stacionet televizive kanë sponsor kompani bastesh sportive, edhe në qoftë se do të shohësh një emision humori si “Sekretet e Portokallisë” do të shohësh një reklamë për një kompani bastesh sportive, edhe një emision si “Fiks Fare” që “qan” hallet e popullit reklamon një kompani bastesh sportive. Me pak fjalë, në kohën më të rëndësishme televizive kemi reklamim të basteve sportive.

Ligjërisht një gjë e tillë nuk është e ndaluar, por moralisht po. Fenomeni i vënies së basteve sportive në Shqipëri është shumë i përhapur dhe ne duhet të mundohemi sa më shumë për ta parandaluar dhe jo ta reklamojmë. Ekonomia e shqiptarit nuk është e tillë sa për të vënë gjithë ditën baste sportive, pasi një pjesë e mirë e tyre janë të papunë. Shqiptari ka njëmijë halle dhe nuk mund të luajë baste sportive për qejf./E.B.

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj