Qytetari ble apartamentin në Korçë, hipoteka i jep certifikatën e pronësisë të komshiut

0
240

Ilir Polena, një qytetar i Korçës zotëron çelësat e një apartamenti, por jo pronësinë e tij. Ai e bleu hyrjen në katin e katërt të një pallati, gjatë një ankandi të zhvilluar nga Zyra Përmbarimore.

“E bleva në muajin dhjetor. Pasi mbylla të gjitha procedurat aplikova për certifikatë. Vjen me postë për 2 javë më thanë”, tregon Iliri.

Certifikata e pronësisë që Hipoteka e Korçës i ka dhënë, figuron për një tjetër apartament, atë të komshiut të Ilirit në katin e parë të pallatit.

Pyetja që shtrohet është, po banori i katit të parë, certifikatën e pronësisë të kujt zotëron?

Ndërsa, për apartamentin që Iliri ka blerë, figuron që certifikatën e pronësisë ta ketë një familje që jeton disa metra larg pallatit. Po në apartamentin që kjo familje jeton, kush mund ta ketë certifikatën e pronësisë?

Kjo merimangë ngatërrese, ka ndodhur në lagjen numër katër në Korçë, ku për vite me radhë institucionet i kanë zvarritur çështjet e pronave. Një rrëmujë e tillë në një tjetër qytet do kishte sjellë edhe pasoja të rënda, por qytetarët e Korçës jane mirëkuptuar me njëri-tjetrin edhe pse jetojnë në shtëpinë e tyre, por që tapinë e ka dikush tjetër.

Iliri, prej disa muajsh, po përpiqet që t’i jap një zgjidhje kësaj çështje, por hipoteka e Korçës, e vetëdijshme për këtë ngatërresë të adresës së apartamentit, kërkon që procedurat të nisen edhe njëherë nga e para. Kostot e këtij shërbimi, që Iliri i ka paguar njëherë, hipoteka thotë që duhet t’i paguajë përsëri.

Së bashku me Ilirin, Top Channel eshte interesuar pranë Hipotekës së Korçës. Zyra e informacionit tha që Iliri mundet ta takojë drejtoreshën çdo ditë të enjte, ndërsa media duhet te bente një kërkesë me shkrim për të folur me drejtoreshën.

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj