Korcë, dhunon komshijen e moshuar, agresori endet i lirë në qytet!

0
2377

lbert Panariti, një qytetar nga Korça denoncon në “Stop” dhunën që i është bërë bashkëshortes së tij 62-vjeçare, Elda Panariti nga fqinji i tyre, Luan Ashiku, për shkak të një konflikti pronësie. Zonja prej disa ditësh ndodhet në spital me dëmtime serioze në kokë, fytyrë e bark. Por si për ironi, agresori Ashiku endet i lirë në qytet. Pas interesimit të bashkëshortit Panariti dhe gazetarit të emisionit “Stop”, rezulton se prokuroria, policia dhe mjekësia ligjore, po zvarrisin çështjen, në mënyrë që Luan Ashiku t’ia hedhë pa lagur, ose me sa më pak pasojë. “Emisionit “Stop” iu drejtova se më është bërë një padrejtësi shumë e madhe. Më 22 Nëntor 2017, ditën e premte ora 10:00, komshiu im Luan Ashiku godet gruan time me grushte edhe në bark, edhe në fytyrë dhe gruaja ime rrëzohet me kokë në trotuar dhe ka ndenjur mbi 15 minuta në koma. Isha në një siklet të tmerrshëm sa thashë se më iku gruaja. Erdhi ambulanca më mori gruan dhe sot ajo është e shtruar në spital. Shkaku që bashkëshortja ime u dhunua nga komshiu ishte një konflikt pronësie që unë kam prej vitesh, por sot për mua ka rëndësi jeta e gruas sime, se sa ky konflikti i pronësisë”, tha Albert Panariti. Gazetari: Sa ditë ke këtu? Elda Panariti: Është ditë e tretë sot Gazetari: Doktorët çfarë kanë thënë? Elda Panariti: Nuk e di unë e shkreta… Gazetari: Ecën dot? Elda Panariti: Jo nuk ec dot, humb ekuilibrin, më vjen vërdallë edhe vjell në mënyrë të tmerrshme. Është kaq i fuqishëm dhe nuk pyet as shtetin o bir. Unë jam Luan Ashiku dhe bam në kokë. Gazetari: Me çfarë të goditi? Elda Panariti: Me grusht. Në kokë, në bark dhe pastaj më ka ngritur peshë dhe nuk mbaj mend më. Shkak për këtë konflikt dhe dhunë është bërë ndërtimi i një pallati dhe shtëpia e zonjës Panariti është ngjitur me vendin ku po ndërtohet shumëkatëshi. Policia e Korçës arrestoi në flagrancë Luan Ashikun, por e liroi pas disa orësh. Albert Panariti: “Ky që bëri këtë krim ndaj gruas sime, ndaj një femre, ndaj një të moshuare 62-vjeçare. Nuk vazhdoi as 10 orë dhe policia e ka nxjerrë, është prapë në rrugë. Kjo më çuditi. Ku nuk kam vajtur, vajta në polici, vajta në prokurori, ku s’kam vajtur, dhe nuk po e gjej dot të drejtën”. Polici Alqi Rropi: Dokumentet, që u bënë atje.., është bërë në vendngjarje dhe ka kaluar çështja në prokurori, këtë ta garantoj unë. Interesohu kush ka qenë prokuror i gatshëm dhe merr takim me prokurorin. Albert Panariti – Mua më drejtoi Alqi, i plotfuqishmi i lagjes. Prokurori Edmond Shytka: Thuaj atij Alqit, të mbajë vendin aty, ku e ka! Albert Panariti: Unë nuk kuptoj një gjë: pse ai krimineli, që goditi gruan time për vdekje, është jashtë, nuk vazhdoi më shumë, se 10 orë? Prokurori Edmond Shytka: Këtë, që ta kuptosh ti, e ka policia. Albert Panariti: E ka policia? Prokurori Edmond Shytka: Policia nuk i ka sjellë akoma materialet. N.q.s, do t’i sjellë materialet policia në prokurori, atëherë do të veproj unë. Prandaj të thashë: unë s’kam materiale nga policia, që të ketë sjellë pranë prokurorisë, që të m’i japin mua, që të arrestoj. N.q.s, policia do të bëjë punën dhe t’ia sjellë materialet prokurorisë, n.q.s, policia nuk i bën punët, ashtu siç e përmban ligji, mos të verë ty në siklet, që të fillosh, që të bësh një farë debati, ose të mendosh, që prokuroria nuk po vepron. — Albert Panariti: Po pse nuk e ke dorëzuar në Prokurori? Inspektori Igli Mele: O, ti zotëri! Dhe njëherë po të them, janë ditë pushim… Albert Panariti: Janë ditë pushimi? Po mirë, ditë pushimi, vetëm për të dalë ai nga burgu, janë ditë pushimi? Inspektori Igli Mele: Këto janë… këto. Me mua, ke personin e gabuar, që më flet në këtë mënyrë. Mirupafshim! Faleminderit! Albert Panariti: Ju kini, brenda 48 orëve, të bëni atë aktin mjeko-ligjor dhe pret kjo punë, që të mbarojnë pushimet, pa të bëhet akti ligjor? Mjeku ligjor Gjergji Kacauni: Po dhe pret mo, zotëri! Albert Panariti: Po si pret?! Ajo gruaja, në vend të rregullohet më mirë, më keq është, se dita e parë. Mjeku ligjor Gjergji Kacauni: Po, mirë mo,nuk e kuroj unë. Albert Panariti: Po, ti nuk e kuron. Ju, si e keni me ligj, duhet ta bëni aktin e ekspertimit brenda 48 orëve? Se ai, prokurori, më tha: s’më kanë sjellë tha… Mjeku ligjor Gjergji Kacauni: Po e bëj unë, brenda 48 orëve pa konkluzione. E çfarë zgjidhe ti në këtë mes?! Albert Panariti: Si? Si e bën ti? Mjeku ligjor Gjergji Kacauni: Hiç, asgjë s’bëj unë. Ik tani! Mirupafshim!/tv klan

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj