Ministri Xhafaj vizitë në Korçë

0
950

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një vizitë sot në Korçë, ku ka folur për Vettingun në Polici dhe nisjen e procesit të dorëzimit të Formularëve nga punonjësit e policisë. Po ashtu ai tha se ka policë dhe juristë që po ndihmojnë policët në procesin e plotësimit të formularëve dhe përsëris edhe një herë që nuk duhet asnjë dokument shoqërues.

Zoti Ministër, si po ecën plotësimi i këtyre formularëve të Vetingut, çfarë po ndodh?

Së pari duhet të biem dakord njëherë që vetingu është shumë i domosdoshëm në radhët e policisë, ashtu sikundër është i domosdoshëm dhe po kryhet mëse miri në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve. E theksova edhe sot gjatë një forumi për sigurinë qytetare në Korçë, se është i rëndësishëm edhe për strukturat e Policisë së Shtetit. Duke qenë një proces pak i ndërlikuar nga pikëpamja e të dhënave që kërkohen ka vështirësitë e veta, por ne jemi munduar që të ndërtojmë një proces sa më të kujdesshëm. Që do të thotë e kemi lehtësuar procesin nga të dhënat e panevojshme dhe kryesisht ato që do të duhej të merreshin si dokumente mbështetës, janë ndërtuar që të merren me vetëdeklarim nga punonjësit e policisë.

Së dyti, e kemi bërë të qartë për të gjithë strukturat e policisë për të gjithë ata që do ti nënshtrohen procesit të Vettingut në Polici, në Gardën e Republikës dhe në SHÇBA që do të tolerohen edhe gabime që do të mund të vijnë edhe për shkak të mos plotësimit nga pikëpamja teknike e formularëve përkatës. Komisionet e vlerësimit mund t’iu japin kohë në proces për ti plotësuar gradualisht.

E gjithë kjo që thuhet është një zhurmë në vlerësimin tim dhe që rrjedh nga fakti që jo të gjithë ata që janë jashtë këtij procesi arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh brenda procesit. Ne jemi mundur që përmes Drejtorisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, në Ministrinë e Brendshme që të mund të jemi sa më transparent në këtë proces, në radhë të parë me mediat, por edhe me qytetarët, si dhe në mënyrë të veçantë me vetë strukturat e policisë.

Për ta lehtësuar procesin kemi trajnuar njerëz të posaçëm, oficerë policie në çdo komisariat dhe në çdo drejtori të cilët do të asistojnë kolegët e tyre për t’ua lehtësuar procesin e plotësimit të formularëve dhe të gjithë dokumentacionit të nevojshëm për pjesën e Vettingut. Gjithsesi për të kuptuar se çfarë problemesh dhe shqetësimesh kanë punonjësit e policisë, posaçërisht kam ndaluar tani në Komisariatin e Korçës bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorin Vendor të Policisë për t’i dëgjuar drejtpërsëdrejti nëse kanë ndonjë shqetësim, ndonjë gjë që duhet ta bëjmë më mirë. Ajo që dua të them është që ky është një ligj që është miratuar në Parlament. Kemi pasur gjithë kohën e nevojshme ne, por dhe të gjithë ata që janë subjekt i këtij ligji për t’u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe për të marrë masat e duhura.

Megjithatë ka kohë dhe ka mundësi që në këtë periudhë të mbetur, edhe në ditët në vijim, gjëra që mund të rregullohen dhe për arsye teknike të mundësohen në mënyrë që ky të jetë një proces sa më i lehtësuar. Sepse ne nuk kemi për qëllim të kalbim njerëzit për arsye dokumentesh, por kemi për qëllim që këto dokumente të jenë në funksion të nevojës për të bërë skanimin e plotë të të gjithë strukturave të policisë dhe për të ndarë policët që janë në shumicë sipas nesh të ndershëm, të painkriminuar, të pakorruptuar dhe të aftë për të bërë detyrën, nga ajo pjesë e vogël që nuk e meritojnë të vazhdojnë të jenë shërbëtorë të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve në funksionin e Policisë së Shtetit. Nuk janë dokumentet në vetëvete ato që e penalizojnë, por janë elementët që lidhen me figurën ato që mund ta penalizojnë x-in apo y-in që shërben në radhët e policisë. Nuk është çështje dokumentesh, është çështje përmbajtje, është çështje sjelljeje, është çështje qasjeje, është çështje vlerash, i gjithë ky proces.

Ju do ta shihni që edhe në implementimin e këtij procesi që do të jetë një proces shumë i lehtësuar nga kjo pikëpamje.

Z. Ministër, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ndër ato 5 prioritetet që Shqipëria duhet të përmbushë për të vijuar me rrugën e çeljes së negociatave me BE. Tani që kanë mbetur vetëm pak javë deri në qershor, sa të vijë momenti i çeljes së negociatave, çfarë do të presin vendet skeptike të BE-së, do të presin rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, zyrtarë të lartë të arrestuar, eksponentë të krimit të arrestuar?

Unë besoj që edhe korrupsioni, edhe krimi i organizuar, nuk është një çështje që goditet me fushata, as një çështje punë orësh apo punë ditësh, përkundrazi. Janë të dyja vepra penale ose ajo lloj veprimtarie kriminale që kërkon një punë goxha të vështirë për ta identifikuar dhe për ta provuar si të tillë. Por nëse e shohim nga pikëpamja e rezultateve, për të gjithë tashmë është i qartë fakti që jo thjeshtë ajo çfarë themi ne, por ajo çfarë thonë Komisioni Europian, është e zeza në të bardhë dhe vlerësimet për atë çfarë është duke u bërë në këtë fushë dhe sidomos në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, edhe në kuadrin e operacionit ‘Forca e Ligjit’, janë pozitive.
Natyrisht ka vend edhe për shumë më mirë dhe ne jemi fort të angazhuar që krahas arritjeve të deritanishme të mund të demonstrojmë më shumë, jo thjesht vullnet dhe angazhim, por rezultate konkrete edhe në muajt që do të vijnë.

Këto arritje do të mund të bindin vendet skeptike europiane?

Besoj se skepticizmi i tyre nuk lidhet thjesht me prioritete. Është një çështje, një debat i madh brenda vendeve europiane, brenda forcave politike të vendeve të ndryshme, sepse përsa i përket çështjeve që lidhen me treguesit që do të duhet të plotësonte është shprehur Komisioni Europian. Në fund të fundit ai që e ndan se cila është shkalla e plotësimit të këtyre prioriteteve është Komisioni Europian dhe Komisioni Europian e ka dhënë në mënyrë unanime verdiktin e tij për 5 prioritetet. Mbetet pastaj çështje vullneti nga të gjitha vendet anëtare për ta ratifikuar këtë vullnet të Komisionit Europian. Në vlerësimin tim personal, unë besoj se do të ketë një rezultat pozitiv dhe duhet të ndihemi mirë të gjithë për këtë gjë, të gjithë ata që duan ta shikojnë vendin dhe qytetarët e këtij vendi shumë më mirë sesa deri tani.

PËRGJIGJU

Ju lutem shkruani komentin!
Ju lutem shkruani emrin tuaj